Statistikat e Tregut të Punës 2002 - 2015

Qëllimi i Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) në Kosovë është të ofrojë të dhëna statistikore mbi indikatorët statistikorë të tregut të punës dhe të mundësojë krahasimin e tyre me vitet paraprake. Metodologjia dhe përkufizimet e aplikuara në vitin 2015 janë të njejta me ato të përdorura në vitet 2012, 2013 dhe 2014 dhe në përputhje me rregulloret e Eurostat-it. Anketa e Fuqisë Punëtore përfshin 600 Qarqe Regjistruese (QR) në tërë terriorin e Kosovës, ku janë intervistuar 4,800 ekonomi familjare. Raporti mbi AFP-në e vitit 2015 përmban të dhëna mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, gjendjes së punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe fushave të tjera të tregut të punës. Shkalla e punësimit ka shënuar një rritje të lehtë nga viti 2012 në vitin 2013, pastaj ka rënë në vitin 2014 dhe në vitin 2015. Të dhënat e AFP-së tregojnë që përqindja e personave të punësuar me orar të pjesshëm ka rënë nga 11.1% në vitin 2013 në 5,3% në vitin 2015. Vetëpunësimi (si përqindje e të punësuarve) ka shënuar një rënie të vogël nga viti 2014 në vitin 2015. Përqindja e të punësuarve në punë të paqëndrueshme (personat, që janë të vetëpunësuar dhe nuk kanë punonjës dhe ata që punojnë pa pagesë në një biznes familjar) ka rënë nga 24.9% në vitin 2014 në 22.8% në vitin 2015. Prodhimi, tregtia, arsimi dhe ndërtimtaria vazhdojnë të punësojnë pothuaj gjysmën e personave të punësuar. Shkalla e papunësisë ka rënë lehtë nga 30.9% në 30.0% nga viti 2012 në 2013, pastaj ka shënuar rritje në vitin 2014 në 35.3% dhe më pas ka rënë përsëri në 32.9% në vitin 2015. Midis viteve 2014 dhe 2015, përqindja e personave të dekurajuar (personat joaktivë, të cilët nuk kërkojnë punë pasi besojnë se nuk ka) ka shënuar rritje nga 10.7% në 14.1%. Shkalla e joaktivitetit gjithashtu ka shënuar rritje midis dy viteve. Pjesëmarrja në fuqinë punëtore ka rënë midis viteve 2014 dhe 2015, nga 41.6% në 37.6%. Pjesëmarrja e femrave në fuqinë punëtore dhe punësimi i tyre gjithashtu kanë rënë midis viteve 2014 dhe 2015. Papunësia tek të rinjtë ka rënë në vitin 2015, nga 61.0% në 57.7%. Gjithashtu, ka pasur rënie në shkallën e papunësisë afatgjate, me rënien e përqindjes së të papunëve, që kanë qenë të papunë për më shumë se 12 muaj, nga 73.8% në vitin 2014 në 72.2% në vitin 2015. Përqindja e të rinjve që nuk janë të punësuar, as në shkollim, as në trajnim (të intervistuarit e moshës 15-24 vjeç, që nuk janë as të punësuar, as në shkollim, as në trajnim) është rritur nga 30.2% në vitin 2014 në 31.4% në vitin 2015. Me këtë rast, ASK-ja falënderon pjesëmarrësit dhe akterët e tjerë në realizimin e AFP-së 2015. Njëkohësisht, i bën me dije të gjithë përdoruesit e statistikave zyrtare se ASK-ja, brenda mundësive buxhetore, në vazdimësi po bën përpjekje për ngritjen e kapaciteteve për të publikuar statistika të qëndrueshme dhe sa më cilësore. Në bazë të Ligjit të Statistikave Zyrtare Nr.04/L-034, Agjencia e Statistikave të Kosovës është përgjegjëse për prodhimin e statistikave zyrtare në Republikën e Kosovës, prandaj, gjatë shfrytëzimit të këtyre të dhënave, duhet të citohet burimi.

Të dhënat dhe burimet

Info shtesë

Fusha Vlera
Burimi https://ask.rks-gov.net/sq/tregut-i-punes
Autor Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)
Mirëmbajtësi Fatos Idrizi
Versioni 1.0
Ndryshuar së fundmi Tetor 12, 2016, 12:17 (Europe/Tirane)
U krijua Tetor 12, 2016, 12:04 (Europe/Tirane)