Regjistrimi i Bujqësisë 2014

Raporti i cilësisë plotëson të dhënat e shpërndara të Regjistrimit të Bujqësisë 2014 dhe ofron një pasqyrë të dimensioneve të cilësisë së Regjistrimit të Bujqësisë 2014 në Kosovë. Në nëntor të vitit 2014, në Republikën e Kosovës u realizua Regjistrimi i Bujqësisë, pas më shumë se 50 vjetësh. Regjistrimi i Bujqësisë, për herë të fundit ishte kryer në vitin 1960. Metodologjia e Regjistrimit të Bujqësisë 2014 është në përputhje me standardet ndërkombëtare të Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (ang. FAO) dhe me legjislacionin e BE-së: Rregulloren (EC) Nr. 1166/2008 të Parlamentit dhe të Këshillit Evropian për anketat e strukturës së fermës dhe anketën për metodat e prodhimit bujqësor, si dhe shfuqizimin e Rregullores së Këshillit Evropian (EEC) 571/88. Regjistrimi i Bujqësisë është anketa themelore statistikore në statistikat bujqësore, ku mblidhen të dhënat për strukturën e fermës. Në përputhje me rekomandimet e Organizatës së Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Regjistrimi i Bujqësisë duhet të bëhet çdo dhjetë vjet. Edhe në vendet e BE-së, në bazë të legjislacionit të BE-së, Regjistrimi i Bujqësisë është i obliguar të kryhet në çdo dhjetë vjet. Deri më tani, politikat dhe strategjitë në Republikën e Kosovës janë bazuar në të dhënat nga komunat dhe anketat e ish-Entit të Statistikave të Kosovës (tani Agjencia e Statistikave të Kosovës), të cilat janë mbledhur përmes metodologjive të ndryshme. Në kuadër të Regjistrimit të Popullsisë, të realizuar në prill të vitit 2011, ishin përfshirë disa pyetje lidhur me bujqësinë, shfrytëzimin e tokës dhe blegtorinë. Realizimi i Regjistrimit të Bujqësisë në vitin 2014 ofron informacione të detajuara strukturore për bujqësinë, në bazë të të cilave mund të zhvillohen politika të reja për zhvillimin ekonomik në sektorin e bujqësisë. Të dhënat ofrojnë një kornizë për kryerjen e anketave të rregullta dhe së bashku me regjistrimin do të përbëjnë shtyllën kryesore të sistemit të statistikave bujqësore që mbulojnë nevojat kombëtare dhe standardet ndërkombëtare. Regjistrimi ishte përgatitur të kryhet në tërë territorin e vendit, por katër (4) komunat me shumicë etnike serbe (Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) refuzuan të marrin pjesë. Prandaj, të dhënat janë publikuar vetëm për 34 komuna. Regjistrimi i Bujqësisë është organizuar dhe kryer nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) dhe Komisionet Komunale të Regjistrimit (KKR). Ky projekt është financuar nga Fondi i Mirëbesimit, i themeluar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra e BE-së në Kosovë, me pjesëmarrjen e donatorëve të tjerë ndërkombëtarë, siç janë SIDA, DFID, SDC, Qeveria e Luksemburgut dhe Qeveria e Danimarkës. Fondi i Mirëbesimit është menaxhuar nga UNOPS-i.

Të dhënat dhe burimet

Info shtesë

Fusha Vlera
Burimi https://ask.rks-gov.net/sq/rb2014
Autor Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK)
Mirëmbajtësi Fatos Idrizi
Versioni 1.0
Ndryshuar së fundmi Tetor 12, 2016, 09:17 (Europe/Tirane)
U krijua Tetor 12, 2016, 09:10 (Europe/Tirane)